Maqedoni e Veriut/ Nis vaksinimi i qytetarëve në risk për t’u infektuar me COVID-19 – Balkanweb.com

Maqedoni e Veriut/ Nis vaksinimi i qytetarëve në risk për t’u infektuar me COVID-19 – Balkanweb.com


Në Maqedoninë e Veriut të hënën ka filluar vaksinimi i qytetarëve me infrastrukturë kritike, të cilët për shkak të kontakteve të shumta gjatë kryerjes së punës, janë më të ekspozuar ndaj koronavirusit.
Fjala është për kategori siç janë forcat e sigurisë, përkatësisht punonjësit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Armatës, gazetarët, shoferët e transportit publik, edukatoret në kopshtet për fëmijë, zjarrfikësit dhe disa kategori tjera. Vaksinimi po zhvillohet në sallën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, me 20 mijë vaksinat ruse “Sputnik V”, të dhuruara nga Serbia. Nga dikasteri i shëndetësisë kanë bërë të ditur se për çdo ditë pritet të vaksinohen rreth 4,000 persona, për të arritur më vonë në realizmin e planit për imunizim, që brenda një dite të realizohen rreth 7 mijë termine për vaksinim.

“Sot nuk kishim asnjë problem në procesin e vaksinimit. Për t’u vaksinuar kjo kategori duhet të lajmërohet te mjeku amë dhe nga aty të marrin rekomandim nëse mund ose jo të vaksinohen”, ka deklaruar Sabiha Straova nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndërkaq Ilir Luma mjek amë, për Radion Evropa e Lirë thotë se është në rritje numri i pacientëve që kërkojnë të regjistrohen për t’u vaksinuar, veçanërisht grupeve më të rrezikuara, të cilët kanë kontakte me shumë persona gjatë realizimit të detyrave të punës.

“Te popullata ka filluar një interesim më i madh karshi vaksinimit. Po që se evitohen të gjitha dyshimet që u shfaqën ndaj disa vaksinave siç ishte rasti për AstraZenecan, dhe që më vonë Organizata Botërore e Shëndetësisë i hodhi poshtë si të pavërteta të gjitha informacionet se kjo vaksinë (AstraZeneca) shkakton probleme te një numër i madh i qytetarëve, si dhe me ardhjen e dozave më të mëdha të vaksinave, besoj se do të rritet edhe më shumë numri i të interesuarve për të marrë vaksinën”, -thotë Ilir Luma mjek amë.

Të hënën edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, ka bërë të ditur se ai personalisht është regjistruar në aplikacionin online për t’u vaksinuar. Ai ka theksuar se do të vaksinohet me vaksinën e cila në atë moment që do t’i vijë radha, do të jetë në dispozicion, duke theksuar se qytetarët duhet të heqin çdo frikë sa i përket sigurisë së vaksinave. “Kuptohet se do të vaksinohem me vaksinën që do të jetë në dispozicion. Këtë e them pasi ekzistojnë lloje të ndryshme të kundërthënieve për vaksinat dhe mund t’ju siguroj se gjithçka që është miratuar në vendin tonë nga autoritetet kompetente, është e verifikuar. Të gjitha vaksinat që janë importuar dhe aplikohen te qytetarët tanë, janë 100 për qind të kontrolluara, ashtu si të vaksinoheni në cilindo shtet evropian”, ka theksuar Pendarovski.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e së hënës, ka miratuar propozimet e Komisionit për Sëmundje Infektive, që ora policore të fillojë një orë më herët, përkatësisht në orën 20:00 dhe të zgjasë deri në 5:00 të mëngjesit, masë kjo që do të vlejë për dy javë, nga 6 prilli deri më 20 prill. Për të frenuar hovin e të infektuarve me koronavirusin e ri, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim të mbyllë lokalet dhe objektet gastronomike, bastoret e palestrat, vendim ky që do të hyjë në fuqi nga dita e mërkurë dhe do të mbetet në fuqi për dy javë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka theksuar se gjatë këtyre dy javëve, të gjithë qytetarët bashkërisht duhet angazhuar për t’iu kundërvënë koronavirusit që ka marrë hov në shtrirje.
“Numri i të infektuarve në moshë më të re është në rritje siç në rritje është dhe numri i viktimave. Derisa tani punëtorët shëndetësorë janë të ngarkuar, por tani janë të mbingarkuara edhe kapacitetet spitalore. Kjo është ngarkesa më e madhe që e ka pasur shteti që nga fillimi i pandemisë”, -ka theksuar kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka theksuar se bëhet fjalë për mutacion të virusit, për të cilin lloj nevojitet një kohë më e gjatë e përkujdesjes spitalore. “Ndryshe nga e kaluara, tani kemi pasqyrë klinike të sëmundjes me atë që hospitalizimi zgjat më shumë. Për dallim nga vala e kaluar, ku në ditën e 14-të të shërimit pacienti në të shumtën e rasteve shërohej, tani kemi karakteristikë edhe te pacientët e rinj, përkeqësim në ditën e 12-të apo të 13-të dhe 14-të të shërimit, një formë e rrallë, me përkeqësim të pasqyrës së mushkërive dhe gjakut”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Ndryshe në aplikacionin vakcinacija.mk, për t’u vaksinuar për momentin presin rreth 133 mijë qytetarë, ndërkohë që tashmë janë vaksinuar mbi 9 mijë punonjës të shëndetësisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb





Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us