SHBA/ San Francisco ndalon duhanpirjen në apartamente, por jo marijuanën (fotot)

SHBA/ San Francisco ndalon duhanpirjen në apartamente, por jo marijuanën (fotot)


Zyrtarët në San Francisco kanë ndaluar duhanpirjen në ndërtesat me apartamente, prej shqetësimit të njerëzve që nuk pijnë duhan, por tymosja e kanabisit është lejuar, sipas udhëzimeve të reja.

Propozimi ishte hartuar fillimisht për të ndaluar edhe tymosjen e kanabisit, por pjesa e fundit u hoq nga ligji pas ankesave të aktivistëve, të cilët argumentonin se i vetmi vend ku ata janë të lejuar ta bëjnë këtë është në shtëpinë e tyre.

San Francisco lejon përdorimin e kanabisit por jo në publik dhe mbështetësit e substancës thanë se nëse ligji i ri përfshin kanabisin, e bën atë përsëri ilegal.

“Ndryshe nga duhanpirësit që mund të dalin nga apartamentet e tyre për të tymosur në ambjentet e lejuara jashtë, përdoruesit e kanabisit nuk kane alternativa të tjera”, tha zyrtari vendas Rafael Mandelman, i cili hartoi amendamentin për përjashtimin e kanabisit nga masa.

Bordi i qytetit të San Francisco votoi 10-1 për aprovimin e ndalimit të tymosjes brenda apartamenteve, duke u bërë qyteti i 63-të i shtetit të Kalifornisë që e bën këtë.

Në direktivat e reja përfshihet edhe ndihma e Departamentit të Shëndetit Publik për ata që duan të lënë duhanin, ndërsa thuhet se shkelësit e përsëritur mund të gjobiten deri në $1,000 në ditë.

Ligji nuk lejon që qiraxhintë të dëbohen nga shtëpitë për tymosje duhani, por vetë gjoba prej$1,000 do të ndikonte rëndë në pagesat e tyre dhe rrjedhimisht në dëbimin nga shtëpia, thane vezhguesit.