• July 30, 2021


Momenti historik i kishte ngarkuar dy të rinj shqiptarë me një mision shumë të rëndësishëm, të cilin ata e përmbyllën me sakrificën më sublime: flijimin e tyre, për t’i hapur rrugë lirisë së popullit të Kosovës.

Dyzet vjet më parë, në qendër të Prishtinës, Naser Hajrizi e Asllan Pireva, ranë në krye të demonstratavegjithëpopullore, që asaj pranverekishin shpërthyer anekënd Kosovës.

Ata,bashkë me shumë dëshmorë të tjerë, rindezën flakët e kryengritjes, duke shkruar me gjak historinë e atij viti të stuhishëm.

Prindërit e Naserit, Beqir e FatimeHajrizi, nuk janë më në mesin tonë, por ata lanë pas rrëfimet për 2 prillin e vitit 1981,ditën kurKosova mori në gji birin e tyre.

Rrëfimi i babëBeqirit

Naseriishte djalë i mençur dhe i shkathët. Aftësitë i kishte përtej moshës së tij.
Ai po rritej dhe disa shenja të veprimit ilegal dukeshin. Recitonte poezi dhe këndonte këngë, të cilat në atë kohë ishin të ndaluara. Lexonte libra të fshehtë dhe takohej natën me shokë. Ishin shokë të ngushtë e të pandashëm me Asllan Pirevën.

Në ditën e 2 prillit 1981, unë fillimisht isha në punë. U dëgjuan krisma dhe dola dalë me një shok timin, Jasharin nga Padalishta. “Dikë e vranë”, i thashë. Dolëm te Xhamia… Policia hodhi gaz lotsjellës. Jam takuar me vëllain, Tahirin. Po ecnim rrugës “RamizSadiku”, kur erdhi një tank dhe u kthye mbrapsht në drejtim të Fakultetit Teknik. Një grumbull fëmijësh filluan ta gjuajnë tankun me gurë. Më vonë kemi takuar edhe dy vëllezërit tjerë, Mehmetin dhe Zeqirin, si dhe kushëririn Qamilin. Te Shkolla Teknike kishte mbetur një makinë ushtarake. Disa fëmijë mundoheshin ta digjnin, por nuk mundeshin. Shkoi Qamili dhe ia vuri flakën.

Po shkoja përpjetë drejt Gërmisë. Kur kalova afër shtëpisë së Fadil Hoxhës, erdhi një tank, duke gjuajtur pa ndalë. Hyra me shpejtësi në një sokak.

Në mbrëmje Naseri s’kishte ardhur. Mendova, ose e kishin arrestuar, ose vrarë. Pritëm gjithë natën, por nuk erdhi. Të nesërmen shkova në spital. Nuk mora vesh asgjë. Naseri s’kishte asnjë dokument me vete atë ditë. U ktheva në shtëpi dhe sëbashku me vëllezërit, Zeqirin dhe Mehmetin, u nisëm prapë për në spital. Shikuam listën, nuk gjetëm gjë, as te gardëroba nuk ishin veshjet e tij. Vendosëm të shohim ku gjenden kufomat. Hymë në morg me shumë vështirësi. Unë nuk arrita ta gjej. Erdhi edhe Mehmeti dhe bashkë e gjetëm kufomën e Naserit. Dy policë rrinin në derë, njëri shqiptar, ndërsa tjetri serb.

“A ka nënë?”, na pyeti polici shqiptar.

“Jo, këta që janë vrarë, i kanë bërë pelat”, ia ktheva. Nuk foli më. Dolëm nga spitali. Pas dhjetë metrash u përballëm me policët. Na i drejtuan pushkët.

“Ndal”.

“Në shtëpi do të ndalemi”, ua ktheva.

“A ke armë?”.

“Jo”.

“A ke në shtëpi?”.

“Eja atje dhe do të shohësh”.

Mehmeti rrugës më tha të mos hyja në fjalë me ta. Vazhduam tutje deri te vendi im i punës, morëm një makinë, një arkivol dhe u nisëm për spital bashkë me Zeqirin, kurse Mehmeti duhej ta njoftonte familjen, para se të arrinte kufoma atje.

Varrimi u bë më 4 prill. Pushteti nuk lejonte më shumë se katër veta në përcjellje të kufomës. Ne ishim në një kamion të mbuluar, plot njerëz. Afër Gjykatës së Qarkut na ndaloi policia dhe i zbriti njerëzit, të cilët vazhduan këmbë drejt varrezave edhe me të tjerë.

Pas varrimit, të gjithë pjesëmarrësit u betuam para varrit të Naserit.Ndjeva krenari.

Gjatë ngushëllimeve te shtëpia erdhën zyrtarë të UDB-së. Dola. Ishin dy shqiptarë. Më pyetën nëse është dikush brenda. Oda ishte plot njerëz, se vinin radhët pa mbarim. Më thanë, “kur do të vishë të paraqitesh në organet e sigurimit?”. Thashë, “sa di unë, ju nuk i pyesni njerëzit se kur duan të paraqiten”. “Ty po ta lëmë në dorë, kur të duash vetë”, ma kthyen. Unë nuk shkova.

Pas disa ditësh erdhën prapë dhe më thanë se duhet të paraqitem patjetër. Shkova të hënën që vinte. Në zyrë ishte edhe një serb. Atë e nxori jashtë dhe mbeti vetëm zyrtari shqiptar. I thashë: “Po e hapi bisedën para se ta fillosh ti. Për dy gjëra nuk dua të më pyesni asnjëherë: se kë e ka pasur shok dhe kush ishte për ngushëllime, sepse për këto dy çështje nuk do të merrni përgjigje nga unë”.

Më 18 dhjetor 1981, Mehmetin e arrestuan në shkollën e fshatit Grashticë, në të cilën për disa vite me radhë po jepte mësim. E nxorën nga ora mësimore. Jahirin, ndërkaq, e arrestuan më 1 shkurt të vitit 1982.

Në familje ishte situatë e rëndë, por me gjithë vështirësitë e shumta, ia dilnim.
Prindërit, me gjithë dhimbjen, ndiheshin krenarë. Fjalët miradije që fliteshin për Mehmetin dhe Jahirin nga shokët dhe bashkëveprimtarët e tyre, ishin melhem për zemrën e tyre.

Naseri është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë nga presidenti i Republikës së Kosovës. Ishte emocionuese, sepse vepra e tij, sikurse e shumë dëshmorëve të tjerë, po vlerësohej dhe çmohej nga shteti.

Rrëfimi i nënë Fatimes

Ishte ditë e enjte. Naseri u zgjua në mëngjes, u vesh dhe u mbath. Mëngjesin e hëngri në këmbë, pa u ulur, si duke kënduar. E luta të mos dilte. Nuk e mori parasysh lutjen time. Më 1 prill kishte mbathur këpucë, ndërsa atë ditë mbathi atlete. “Për të vrapuar më lehtë”, mu përgjigj në pyetjen se pse nuk po i mbathte këpucët. E përcolla deri te dyert e oborrit. Më përqafoi dhe u nis.

Kam dalë në ballkon të shtëpisë dhe kam qëndruar gjatë gjithë kohës. Dëgjohej kënga e normalistëve tek dilnin nga shkolla dhe i bashkoheshin demonstratës. Këndonin për Kosovën Republikë. U dëgjuan deri poshtë te Shtëpia e Mallrave. Kur kanë arritur aty, i kam parë policët. “Tash do t’i vr.asin”, kam bërtitur. Nuk ka vonuar shumë dhe janë dëgjuar krismat e pushkëve.

Atë natë nuk ditëm gjë. Unë e lashë derën hapur dhe i rregullova shtratin. Herët në mëngjes shkova në dhomën e tij. Nuk kishte ardhur. U mërzita shumë. E morëm me mend se çfarë mund të kishte ndodhur. Gjatë ditës erdhën pesë profesorë të tij. Katër prej tyre qëndruan më larg, ndërsa njëri u afrua te shkallët. Ishte Zenun Gjocaj. Më pyeti, “si je oj loke?”. Thashë, “Naseri ka dalë dhe nuk dimë gjë për të”. “Është i plagosur dhe gjendet në spital”, më tha. E pyeta, “a është gjallë?”. “Po, po, i plagosur është”. Kaq më tha dhe shkoi. U bë britmë e madhe.

Beqiri dhe vëllezërit e tij ishin mbledhur në shtëpinë e Mehmetit. Vajza e madhe shkoi dhe u tregoi për atë që tha profesori. Më pas, shkuan dhe e nxorën kufomën nga spitali. Mua ende nuk ma kishin dhënë lajmin.

Më vonë erdhi Mehmeti. Po thoshte se ka shumë të plagosur e të vrarë, por ende nuk dihej saktë për Naserin. Më vonë tha “sido që të jetë duhet të bëhemi të fortë”.

E dita që është vrarë. U mundua të më mbante brenda dhe të mos dilja. Në ato momente hyri makina në oborr. U ngrita me shpejtësi dhe dola në oborr. U bë gjëmë e madhe. U futën në shtëpi. Iu afrova, e shikova. Ishte i nxirë nga gjaku. Plumbi i kishte rënë në kokë dhe i kishte dalë në anën tjetër…



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related post

Contact Us