Koreja e Veriut, provë me raketa balistike

Koreja e Veriut, provë me raketa balistike


Koreja e Veriut duket se ka kryer një provë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të enjten herët, e para që kur presidenti amerikan, Joe Biden mori detyrën.

Pheniani lëshoi dy raketa balistike që ranë pranë ujrave të Japonisë, sipas kryeministrit japonez Yoshihide Suga.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se dy predhat ishin lëshuar nga provinca jugore e Hamgiongut dhe përshkuan një distancë prej 450 kilometrash, në një lartësi prej 60 kilometrash.

Kapiteni Mike Kafka, zyrtar i çështjeve publike për Komandën Indo-Paqësore të Shteteve të Bashkuara tha në një deklaratë se zyrtarët ishin në dijeni të hedhjes së raketave dhe po ndiqnin situatën.

“Ky aktivitet thekson kërcënimin që paraqet programi i paligjshëm i armëve i Koresë së Veriut ndaj fqinjëve të saj dhe komunitetit ndërkombëtar. Angazhimi i SHBA-së për mbrojtjen e Republikës së Koresë dhe Japonisë mbetet i palëkundur,” thuhet në deklaratë.

Kjo është prova e parë me raketa balistike e Koresë së Veriut prej afro një viti.

Prova vjen ndërsa administrata e Presidentit Biden është në fazat e fundit të rishikimit të politikës së saj për Korenë e Veriut dhe ka shprehur dëshirë për të rinovuar diplomacinë.

Pheniani ka thënë se nuk është i interesuar për bisedime derisa Shtetet e Bashkuara të heqin dorë nga “politika e tyre armiqësore”, një referencë ndaj sanksioneve, stërvitjeve ushtarake dhe aktiviteteve të tjera të SHBA-së në Gadishullin Korean.

Koreja e Veriut ka bojkotuar bisedimet për më shumë se një vit dhe duket se synon të rrisë presionin ndaj Uashingtonit./VOA/


Top Channel





Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us