Kur u bëmë specialë – Bota Sot



Nanat na lindën me lindje natyrale

nuk kishte as mjek për lindje

e as për prerje cesariane

na rritën me bukë të grunit

të arave pa plehra speciale

kryem klasën me dituri natyre

e me mësues normalë

atëhere kur shkonim në shkolla

edhe në kushte

të jashtëzakonshme

vetëm që të dukeshim normalë

edhe paraluftën na e bënë

luftë speciale

edhe në demostrata na rrahte

milicia speciale

na dilte para në sheshe

me pizgauerra autoblinda

e njësi speciale

patëm një rini speciale

që natyrisht nuk i lejohej frika

as të dorëzohej kurrë

lufta e fundit ishte e vërtetë

edhe pse rrejnë

se ishte konflikt special

të vdekurit ishin viktima speciale

u trajtuan në mënyrë speciale

i zhvarrosen për ti zhdukur

gjurmët e gjenocidit

në varre speciale masive

në poligone të policisë speciale

në Serbi

ne bëmë edhe shtetin

republikë me pako

e rezoluta speciale

edhe me qytetari speciale sui generis

me flamur special

me himn që e këndojmë

me heshtje speciale

me deklaratë pavarësie speciale

me liderë specialë

që zgjidhen me zgjedhje speciale

me qeveri që bien e ndërrohen

në rrethana speciale

me presidentë që shkarkohen

në kushte speciale

me parlament që voton ligje

e gjykatë speciale

që gjykojnë në emrin e popullit

me drejtësi speciale

krejt na duan specialë

të bindur e pa zë neve

që nuk arritëm

të bëhemi as natyralë.



Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us