Transformimi i ‘nuses së ISIS’/ Megjithë ‘look-un’ e ri, Britania ende dyshon për Shamima Begum

Transformimi i ‘nuses së ISIS’/ Megjithë ‘look-un’ e ri, Britania ende dyshon për Shamima Begum


Britanikja që ka humbur qytetarinë pasi u bë “nuse e ISIS” në Siri, është lutur së fundmi të rikthehet në vendin e saj, madje duke flakur veshjet konservatore muslimane, në favor të një stili modern ‘urban’, me xhinse të ngushta, bluzë me kapuç, kapele dhe syze ‘trendy’.

Ajo ka ngjyrosur gjithashtu flokët siç bëjnë bashkëmoshataret e saj perendimore, por gjithsesi 21 vjeçarja Shamima Begum nuk është si çdo grua tjetër në Perëndim, pasi disa muaj më parë ajo përshkruante sesi nuk ishte trazuar nga pamja e një koke të prerë, pranë frontit të luftës.

Begum u aratis nga Britania kur ishte adoleshente në 2015, për t’u martuar me një luftëtar të ISIS. Ajo thotë se “nuk ia ka kaluar keq” me ISIS madje ka folur në mbrojtje të disa prej sulmeve terroriste në Evropë.

Tabloidët britanikë që e kanë ndjekur atë gjatë qëndrimit në kampin al-Roj në veri të Sirisë, thonë se ajo tashmë prej kohësh shikon vetëm televizionin britanik, dëgjon muzikë nga Shakira dhe merr mësime kërcimi ‘Zumba’.

Zonja Begum insiston se ka ndryshuar.

Por të tjerë besojnë se transformimi i saj është vetëm një tentativë për të fituar simpatinë e autoriteteve dhe për të ndihmuar avokatët që po tentojnë rikthimin e qytetarisë për të.

Muajin e kaluar gjykata e lartë britanike vendosi se ajo nuk mund të kthehet në vend për seancën e apelit ndaj vendimit. Ajo është mes kontigjentit prej rreth 50 gra e fëmijë britanikë, në kampin me tenda ku strehohen në total rreth 800 familje.

Por imazhi i saj i ri gjithsesi ka shtuar vëmendjen e mediave globale te ajo.

Begum ishte martuar me një luftëtar holandez të ISIS me të cilin lindi tre fëmijë, të cilët fatkeqësisht kanë vdekur të gjithë, nga kequshqyerja ose sëmundjet, para se ajo të vendosej në kamp.

Bashkëshorti i saj besohet se mbahet në një burg në komandë kurde në Siri dhe nuk kontakton prej kohësh me te.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/03/16/nusja-britanike-e-isis-heq-rrobat-islamike-e-vesh-ato-perendimore-teksa-tenton-rikthimin-ne-londer-fotot/