Sondazhi i parë i IPSOS për Top Channel/ PS fiton me 49.5%, kurse PD-LSI 44.4%

Sondazhi i parë i IPSOS për Top Channel/ PS fiton me 49.5%, kurse PD-LSI 44.4%


Sondazhi i IPSOS për Top Channel është realizuar në periudhën nga data 10 deri në 16 shkurt 2021 dhe janë intervistuar 1.527 votues në 12 qarqet e vendit.

Pyetjes kryesore nëse zgjedhjet do të mbaheshin në 25 Prill, për cilën nga partitë do të votonin, 49.5 përqind e të anketuarve thonë se do të votojnë për partinë socialiste drejtuar nga Edi Rama, e cila në këto zgjedhje garon e vetme. Ndërsa për partinë më të madhe të opozitës, partinë demokratike drejtuar nga Lulzim Basha do të votonin 39.3 përqind e të intervistuarve.

Në vendin e tretë është LSI e drejtuar nga Monika kryemadhi me 5.1 përqind të votave. Sondazhi është kryer para se të shpallej koalicioni opozitar. Ndërsa në sondazh partia e katërt del Nisma Thurje me 1.7 dhe në vendin e pestë Lëvizja Demokratike me 1.4 përqind. Partitë e tjera nuk e kalojnë shifrën një përqind të votave duke nisur me PSD me 0,8 e kështu me radhë.

Në sondazh është bërë edhe pyetja se kush mendonin zgjedhësit se do të fitonte në votimet e 25 prillit. Sipas kësaj pyetje, 44 përqind e të anketuarve mendojnë se zgjedhjet do i fitojë partia socialiste. 24 përqind mendojnë se zgjedhjet do ti fitojë partia demokratike dhe 2 përqind mendojnë se fituese do jetë lëvizja socialiste për integrim. Por ka një shifër të lartë të personave që nuk e dinë se kush fiton që shkon në 24 përqind.

39% e shqiptarëve duan që vendi të drejtohet nga Edi Rama

Një nga pyetjet që tregojnë për prirjen e votuesve shqiptarë është edhe ajo që u kërkon të anketuarve të tregojnë se cilin politikan duan që ti drejtojë. Edhe në këtë pikë, Kryeministri Edi Rama është në avantazh duke marrë mbështetjen e 39 përqind të votuesve. Ndërsa drejtuesi i opozitës lulzim basha merr 29 përqind të votave. Numri i personave që nuk e di se kush do votojë është rreth 22 përqind dhe 9 përqind refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetje.

 Cilat janë tre problemet më të mëdha të shqiptarëve

Të anketuarit mendojnë se problemet kryesore me të cilat po përballet vendi janë ekonomia, dhe punësimi respektivisht me 41 dhe 36 përqind. Ndërsa pandemia dhe shëndetësia kanë nga 22 përqind.

Çështjet më të rëndësishme që përcaktojnë votën e shqiptarëve

Çështjet që lidhen me ekonomike janë faktori kryesor që shtyn 40 përqind e të anketuarve që të vendosin për votën e tyre. 35 përqind kanë kryesore papunësinë ndërsa 36 përqind shëndetësinë. Korrupsioni dhe arsimi zënë nga 30 dhe 20 përqind.

Por kush menaxhon më mirë ekonominë shqiptare? Edhe në këtë pikë kryeministri Edi Rama është në avantazh ndaj Lulzim Bashës. Kryeministri ka pro 35 përqind e të anketuarve ndërsa lideri i opozitës ka 27 përqind. Ndërkohë 4 përqind mendojnë se ekonominë do e menaxhonte më mirë Monika Kryemadhi. Shifra e atyre që nuk janë dakord me asnjë nga emrat e mësipërm është 26 përqind, ndërsa 8 përqind kanë dhënë opsione të tjera.

Kush po e menaxhon më mirë papunësinë

Çështja tjetër e rëndësishme që lidhej me ekonominë ishte papunësia, në këtë pikë, 32 përqind mendojnë se Edi Rama menaxhon më mirë dhe 23 përqind mendojnë se është Lulzim Basha më mirë. Ndërsa numri i atyre që mendojnë se asnjë nuk është i përgatitur për të trajtuar papunësinë shkon në 32 përqind.

Kush po e menaxhon më mirë arsimin

Edhe në trajtimin e çështjes së arsimit kryeministri Rama është në avantazh, 34 përqind mendojnë se ai është më i përgatitur për ta menaxhuar arsimin, ndërsa 18 përqind votojnë për Lulzim Bashën dhe 5 përqind për Monika Kryemadhin. Por shumica, me 38 përqind mendojnë se asnjë nga politikanët nuk është i përgatitur për të menaxhuar arsimin.

Kush po e menaxhon më mirë shëndetësinë

Të pyetur se cila parti është më e përgatitur që të menaxhojnë shëndetësinë 35 përqind shprehen për partinë socialiste, 24 përqind për partinë demokratike, 3 përqind për LSI dhe sërish 32 përqind nuk besojnë tek asnjë prej forcave kryesore politikë për çështjen e shëndetësisë.

Kush po e menaxhon më mirë korrupsionin

Ne çështjen e trajtimit të korrupsionit në Shqipëri, Lulzim Basha dhe PD dalin në avantazh ndaj socialistëve. Respektivisht 27 përqind e të anketuarve shprehen pro PD dhe 25 përqind pro partisë socialiste, 2 përqind për LSi, por 38 përqind, shumica pra nuk kanë besim tek asnjë nga partitë kryesore kur bëhet fjalë për korrupsionin.

Në cilin drejtim po shkon Shqipëria

Sondazhi ka edhe disa pyetje që tregojnë mendimin e të anketuarve për mënyrën se si po trajtohen çështjet e mëdha, ndërkohë që pyetjes se përgjithshme se si po shkonin punët në Shqipëri, shumica me 47 përqind thonë se po shkojnë në drejtimin e gabuar dhe 38 përqind në drejtimin e duhur.

Menaxhimi i krizës pas tërmetit nga qeveria Rama 

Sondazhi ka pyetur të anketuarit edhe për mendimin e tyre në lidhje me punën e qeverisë në menaxhimin e krizës që shkaktoi tërmeti. Shifrat e atyre që e mbështesin plotësisht janë 23 përqind ndërsa ata që nuk e mbështesin aspak janë 29 përqind. Ndërsa 53 përqind thonë se e mbështesin.

Si po menaxhohet nga qeveria trajtimi i problemeve të mëdha

16 përqind e zgjedhësve mendojnë se problemet e mëdha po përballen shumë mirë, ndërsa 23 përqind mendojnë shumë keq. Ndërsa mirë mendojnë 56 përqind.

Si u menaxhua pandemia nga PS-ja

Shifra të ngjashme ka edhe pandemia për të cilën mendim shumë mirë kanë 18 përqind dhe shumë keq kanë 24 përqind, ndërsa 56 përqind mendojnë mirë.

Vlerësimi i punës së opozitës në trajtimin e problemeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria

Një pyetje interesante që tregon shumë për mendimin e zgjedhësve është edhe vlerësimi i tyre për punën e opozitës në trajtimin e problemeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria. 33 përqind kanë mendim shumë të keq, dhe vetëm 7 përqind mendojnë shumë mirë. Mendimi negativ mbizotëron në 53 përqind e të anketuarve.