Arbër Çeliku për mediat bullgare: Qeveritë maqedonase ndjekin me fanatizëm traditën e qeverisjes jugosllave

Arbër Çeliku për mediat bullgare: Qeveritë maqedonase ndjekin me fanatizëm traditën e qeverisjes jugosllave


Profesori i UT-së, Arbër Çeliku, në intervistë për portalin bullgar obshtestvo.net, ka folur për raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e Veriut. Ai është përgjigjur edhe në pyetjen lidhur me skandalet në tekstet shkollore, duke kritikuar drejtpërdrejtë qasjen e Ahmetit, i cili shfajësoi ministrat e arsimit për gabimet në tekste. Si problem për Maqedoninë e Veriut, Çeliku e konsideron faktin që qeveritë e këtushme ende ndjekin me fanatizëm traditën e qeverisjes jugosllave. Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë.

Obshtestvo: I nderuar prof. Çeliku, a mund të na tregoni më shumë për skandalin me librat mësimorë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pse shqiptarët ndihen të ofenduar?
Arbër Çeliku:
Ballkani është mbase hapësira e vetme kaq e vogël në botë, në të cilën jetojnë bashkë kaq shumë etni, por që absorbojnë më shumë nacionalizëm se sa mund të bartin mbi shpinë. Nacionalizmi pra ka një traditë të madhe, ai për shekuj me radhë e ka karakterizuar shpirtin e popujve të Ballkanit dhe, si rrjedhojë, po ndodhin dukuri kaq të shëmtuara si: mospranimi dhe mosdurimi i tjetrit, urrejtja ndaj njëri-tjetrit, konfliktet me njëri-tjetrin dhe kështu me radhë.
Qysh nga mëvetësimi i Maqedonisë së Veriut si shtet, është bërë gabim në perceptimin politik-shoqëror. Qeveritë maqedonase, qoftë ato djathtiste apo majtiste, kanë ndjekur me fanatizëm traditën e qeverisjes jugosllave, e cila ka qenë e egër dhe përjashtuese ndaj popujve jo-sllavë, në veçanti ndaj shqiptarëve. Kjo situatë ka prodhuar tërmete (të shprehem kështu) të vazhdueshme që nga mëvetësimi e deri më sot. Me Kushtetutën e 24 janarit 2001 shqiptarët, edhe përkundër faktit numerik (zyrtarisht 25.4%, kurse de facto të përfaqësuar me 35-40%), u cilësuan si pakicë juridikisht, por me cenimin e të drejtave elementare njerëzore edhe më keq se në ish-Jugosllavi. Natyrisht se diferencimi dhe përjashtimi shkaktojnë pakënaqësi dhe ujërat nuk do të qetësohen, derisa të arrihet normaliteti etnik.
Forma e këtillë e politikëbërjes maqedonase ka reflektuar gjerësisht edhe në spektrin e gjerë të shoqërisë maqedonase, edhe aty ku nuk duhej: në shtresën intelektuale dhe shoqërinë civile. Unë nuk arrij ta kuptoj se si urrejtja i ka përshkuar kaq rëndë intelektualët, mjekët, shkrimtarët, artistët, sportistët, gazetarët dhe publicistët. Shkenca, mjekësia, letërsia, arti, sporti, gazetaria dhe publicistika nuk kanë kufij, kurse në Maqedoninë e Veriut këto entitete janë të rrethuara me kufij nacionalistë (për të mos qenë i vrazhdë dhe të them: shovinistë).
Unë, për një kohë, kam qenë aktor aktiv në qarqet e këtilla, duke qenë dekan i Fakultetit të Filologjisë dhe më pas prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin e Tetovës dhe me profesion filolog, përthyes letrar, poet dhe publicist, kam marrë pjesë në disa komisione shtetërore, ndër ta edhe në Komisioni për botime, i cili funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së RMV-së, derisa një ditë, pas një dekade punë, për arsye të qasjes institucionale-formaliste ndaj arsimit, shkencës dhe kulturës, vendosa të tërhiqem nga çdo funksion publik dhe t’i përkushtohem punës individuale profesionale.
Në komisionin respektiv isha i deleguar në vitin 2013 nga Universiteti i Tetovës dhe mora pjesë vetëm në dy mbledhje, ngaqë nuk veprova sipas komandave të ish zv-ministrit të atëhershëm shqiptar. Në mbledhjen e parë pata një debat të ashpër me një historiane maqedonase nga Instituti i Historisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup për librin e muzikës në ciklin e ulët, i cili kishte një përmbajtje të bastarduar. Paramendoni, ninullat shqipe, përmbanin emra maqedonas, gjë që nuk kishte ndodhur as në regjimit gjysmë shekullor jugosllav. Unë, thjesht, nuk mund t’u besoja veshëve. Mbledhjen e dytë kërkova ngritjen e çështjes së Abetares mbarëkombëtare shqipe, të cilën madje e kishte lejuar në përdorim edhe Serbia për 2-3% shqiptarë në Luginën e Preshevës. Abetarja mbarëkombëtare shqipe as sot nuk është në përdorim në Republikën e Maqedonisë së Veriut, edhe pse ish zv-ministri i atëhershëm shqiptar më siguroi se politikisht do të kishte zgjidhje së shpejti. Mbledhje të tretë nuk pati për mua, ngase politika (shqiptare) kishte vendosur të më tërhiqte për pluhurin e ngritur për çështje kaq legjitime dhe jetike kombëtare tonat.
Ky komision aso kohe përbëhej nga ¼ përfaqësues të komuniteteve dhe ¾ maqedonas. Shqiptarë ishim gjithsej 5 anëtarë, kryesisht profesorë universitarë, por indiferentë dhe të heshtur si gurë varresh. Më la përshtypje deklarata e z. Ahmeti sot, i cili shfajësonte ministrat e vet, me arsyetimin se nuk janë redaktorë dhe lektorë, por njëkohësisht akuzonte tërthorazi anëtarët e heshtur të komisioneve në vazhdimësi, profesorët universitarë në cilësinë e ekspertëve, të cilët o i hesht politika, o i largon si puna ime, nëse nuk heshtin. Ju si gazetarë, po t’i rrekeni një hulumtimi mediatik, fare thjeshtë do të vini në informacione që dëshmojnë se kush i kontrollon në vazhdimësi tenderët e botimit të librave dhe materialeve të tjera shkollore dhe shpejt do ta kuptoni se aty nuk ka gabime të tilla si në tekstet shkollore, aty ministrat nuk lënë të shkojë kot asnjë cent. Hulumtoni, për shembull, projektet e 1000 librave të përkthyer nga universitetet prestigjioze botërore, të bastarduar si mos më keq, që janë bërë me google translate dhe që rezultojnë të pakuptimta në gjuhën shqipe, por që janë derdhur miliona euro për përkthimin e tyre dhe sot kalben nëpër bodrumet e institucioneve shtetërore.
Me këtë dua të them se politika, nga njëra anë, synon ta heshtë inteligjencën, ta kthejë në favorin e vet dhe, nga ana tjetër, me ngritjen e gishtërinjve të tyre të pasurohet, pa mos e vrarë kokën për çështje të rëndësishme kombëtare siç është: gjuha, arti, kultura dhe historia.

Obshtestvo: Sipas Jush, cilat janë masat e nevojshme për zgjidhjen e këtij problemi dhe a kanë partitë shqiptare strategji të qarta në këtë drejtim?
Arbër Çeliku:
Pak më lartë jua përvijova përciptazi strategjinë e partive shqiptare, kurse problemet, sado të vogla të jenë, ato qëllimisht stërmadhohen, manipulohen dhe shterohen politikisht, sa në fund, siç thotë populli, nga pleshti të nxirret dhjamë. Më qartazi: Librat që përmbajnë stereotipa etnikë, që nxisin gjuhën e urrejtjes dhe prekin ndjenjat kombëtare të shqiptarëve, duhet të hiqen menjëherë nga përdorimi. Kjo mund të ndodhë vetëm me një vendim të qeverisë, por qeveria duhet të shprehë edhe vullnet. Nga ana tjetër, anëtarët shqiptarë të komisioneve (ekspertët) duhet të fillojnë të lexojnë përmbajtjet e këtyre teksteve dhe jo të marrin pjesë dhe të votojnë në mënyrë paushalle për çështje kaq të rëndësishme shoqërore dhe kombëtare. Jam i bindur se vetëm në Maqedoninë e Veriut ndodh një gjë e tillë, kur anëtarët e komisioneve nuk lexojnë asnjë përmbajtje dhe i votojnë ato. Kjo ndodh edhe në vlerësimin e temave të magjistraturave, të doktoraturave, ndodh edhe në recensionet e revistave, teksteve universitare, dhe kështu me radhë.

Obshtestvo: Në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë në pranverë, por refuzimi i ndryshimeve të ligjit për shtetësi, me të cilat duhej të lehtësohej mënyra e marrjes së shtetësisë, a përjashton shumë qytetarë prej këtij procesi?
Arbër Çeliku:
Para disa javës unë iu qasa problemit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut (botuar në mbi 30 portale), shfletova konventat dhe direktivat evropiane dhe vërejta që në propozim-ligjin për regjistrimin e paraparë të popullsisë ka hile. Në Direktivën 2003/109/EC të Këshillit të Evropës, të miratuar më 25 nëntor 2003, e cila e rregullon çështjen e qëndrimit brenda EU-së, nuk është kushtimisht parakusht mungesa prej 12 muajve radhazi në një vend të UE-së, që një person ta humbasë lejen e qëndrimit, por 6 vjet. Pastaj, nëse kjo do të vlente për shqiptarët, atëherë a do të vlente edhe për maqedonasit me shtetësi bullgare, kur dihet që Bullgaria nuk lejon shtetësi të dyfishtë, përveç rasteve kur bëhet fjalë për pakicat bullgare në vende të dyta?
Unë druaj se, duke mos pasur ne shqiptarët fuqinë e duhur politike, do të na përsëritet historia dhe humbja do të jetë në anën tonë. Megjithatë, sado që trumbetohet se regjistrimi nuk do të jetë politik, për arsyet e përmendura më lart, ai është i pamundur të mos politizohet.
Me këtë rast, e kam fjalët për ata qytetarë që kanë shtetësi dhe punojnë e veprojnë jashtë vendit për arsye të represionit politik të së shkuarës dhe që janë mbi 300 mijë shqiptarë, kurse për ata që nuk kanë shtetësi, mund ta paramendoni edhe vetë rrjedhën e ngjarjeve.

Obshtestvo: Javët e fundit flitet për rënien e koalicionit qeverisës dhe për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut. A ka gjasa kjo të ndodhë?
Arbër Çeliku:
Vite më parë, nëpër mediume qarkullonte një reklamë e birrës së Shkupit, e cila thoshte kësisoj: “Skopsko i sve e mozno”. Pra, në Maqedoni gjithçka është e mundshme, duke marrë parasysh rrethanat politike-shoqërore.
Gruevski iku si pasojë e përgjimeve ilegale, kurse Zaevi erdhi në pushtet shkaku i tyre. Ai ngjalli shpresën jo vetëm te maqedonasit, por në masë të madhe edhe te shqiptarët, megjithatë dështoi në politikëbërjen e balancuar ndëretnike. Për çështje të tjera, siç dhe përflitet, aferat e ndryshme korruptive, unë nuk jam kompetent të flas.
Zaevi ka krijuar një perceptim të gabuar për shqiptarët në përgjithësi. Me siguri këtë përshtypje ai e ka formësuar nga përgjimet, të cilat u derdhën në masë të madhe edhe në opinion dhe mendon se gjithë shqiptarët shiten dhe blihen lirë njësoj si politikanët. Më e keqja, kur i duhet vota shqiptare, ai thirret në konceptin qytetar, kurse kur duhet të pengojë të drejtat elementare tonat, ai thirret në aktet juridike, pra në Kushtetutën e vitit 1991, e cila, në krahasim me Kushtetutën e vitit 1974 të RSFJ-së, shqiptarët nga kombësia i ktheu në pakicë. Dhe, në një shtet nuk mund të ketë dy kushtetuta paralele: një juridike dhe një politike.
Qoftë Zaevi, apo kushdo që të vijë pas tij në RMV, por edhe politikanët tjerë të rajonit, qofshin shqiptarë, serbë, turq, bullgarë, etj., duhet ta kuptojnë se përveç territorit, kemi edhe një korpus vlerash të përbashkëta: doket, zakonet, gërshetimin historik dhe shoqëror; gjuhët, fetë dhe etnitë e ndryshme janë pasuritë tona dhe këto duhet të na nxisin që të ngremë ura bashkëpunimi në të ardhmen, sidomos për hir të gjeneratave të reja, të cilat rriten dhe edukohen në frymën e internetit dhe teknologjive komunikuese.

Obshtestvo: A mendoni se fitorja e Lëvizjes “Vetëvendosje” mund të sjellë ndryshime edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut?
Arbër Çeliku:
Deri më sot unë kam qëndruar apolitik, sepse i jam përkushtuar sferës akademike dhe kulturore dhe, duke i parë zhvillimet politike-shoqërore nga këndi i një vrojtuesi pasiv, nuk kam krijuar simpati për ndonjë politikan tjetër përveç z. Kurti. Për mua ai është një politikan konsistent, i zgjuar, trim, patriot, i pakorruptueshëm dhe, mbi të gjitha, e sfidoi për dekada me radhë regjimin gërryes të shoqërisë kosovare. Me fitoren absolute të z. Kurti nuk ka fituar partia e tij, por mbarë populli i Kosovës dhe rajoni. Unë jam i bindur se ai do ta ndërtojë shtetin e së drejtës, i cili është premisa kryesore për një shoqëri të mirëqenë dhe fqinjësi të mirë.
Është e vështirë të thuhet se ndryshimi në Maqedoninë e Veriut do të ndodhë shpejt, por tashmë ka filluar t’i japë shkëndijat e para. Problemi qëndron në atë, se Kosova ka një opinion të etabluar intelektual dhe mediatik, por edhe një shoqëri të fuqishme civile, gjë që ne nuk arritëm ta kemi, shkaku i arkitekturës të mbrapshtë politike për gati 2 dekada. Madje, shkaku i këtyre politikave destruktive dhe hapjes së vendit drejt UE-së, për një jetë më të mirë, kanë migruar shumë të rinj dhe pa këtë forcë vitale, ndryshimi thuajse është një mision i pamundur.
Megjithatë, shumëçka varet edhe nga faktorët e jashtëm. Nëse EU-ja dhe SHBA-të, përfundimisht dëshirojnë ta vënë në funksion shtetin e së drejtës edhe në RMV, siç ka filluar të ndodhë në rajon, si në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri përmes SPAK-ut, atëherë këto struktura shpejt do t’i bartë era. Dhe, unë besoj fort në këtë, që edhe ne popujt e Maqedonisë së Veriut, në veçanti ne shqiptarët, ta shijojmë çka është meritokracia, demokracia dhe liria.
Faleminderit shumë!
Faleminderit dhe juve!

Në vazhdim e keni edhe linkun e intervistës në portalin Obshtestvo.

Учебниците в Република Северна Македония съдържат етнически стереотипи



Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us