Barcelona ia ka dalë të marrë një tjetër fitore të vuajtur, këtë herë në kampionat, pasi mposhti Betisin me rezultatin 2-3 me përmbysje në transfertën e vështirë andaluziane dhe u ngjit sërish në vendin e dytë me 43 pikë.
Trajneri Ronald Koeman kishte lënë pushim disa nga titullarët si De Jong, Messi e Pedri, ndërsa pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Betisit, që shënoi golin e avantazhit me anë të sulmuesit Borja Iglesias në minutën e 38’.
Në pjesën e dytë Koeman riktheu në fushë titullarët e tij dhe ishte Lionel Messi që barazoi rezultatin në minutën e 59’, pasi mori një pasim nga Dembele, ndërsa në të 68-ën katalanët morën avantazhin falë një autogoli te Ruiz.
Vetëm shtatë minuta më vonë, Victor Ruiz u bë sërish protagonist, por këtë herë shënoi në portën e duhur, atë të Barcelonës dhe riktheu sërish baraspeshën në “Benito Villamarin”.
Megjithatë kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, ishte talenti portugez Trincao ai që shënoi edhe golin e tretë për katalanët, duke u dhënë një 3-pikësh mjaft të rëndësishëm, që i mban në vendin e dytë me 43 pikë, 7 më pak se Atletico Madrid që kryeson renditjen.