Partizani merr 3 pikë të vuajtura në Ballsh, debutim “i hidhur” për Memellin – SuperSport

Partizani merr 3 pikë të vuajtura në Ballsh, debutim “i hidhur” për Memellin – SuperSport


Tirana i ka rezervuar një debutim “të hidhur” Migen Memellit në pankinën e Skënderbeut, pasi mposhti korçarët me shifrat 2-0 në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, në një sfidë ku pati shumë pak histori.

Bardheblutë e nisën vrullshëm ndeshjen dhe në minutën e 10’ ishte sulmuesi i ardhur në huazim nga Young Boys, Taulant Seferi, që zhbllokoi sfidën me një gol spektakolar të shënuar me gjuajtje nga jashtë zone.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare mori një top mbi vijën e 16 metrave, në pozicion të prirët me portën dhe pasi u lirua nga mbulimi i mbrojtjes, lëshoi një të djathtë të hidhur, duke dërguar sferën në cepin e portës së Dajsinanit.

Ka festë për golin e avantazhit, por edhe një moment dedikimi te bardheblutë, që shpalosën edhe një fanellë në nderim të vëllait të Kristi Vangjelit, Pavli Vangjeli, i ndarë nga jeta dy ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë.

Vetëm 8 minuta më vonë ishte mbrojtësi bardheblu Erion Hoxhallari, që shënoi edhe golin e dytë në portën e Skënderbeut, duke bërë që ndeshja të futej në shinat e duhura për Tiranën, e cila më pas administroi me lehtësi ndeshjen deri në vërshëllimën finale.

Kjo ishte fitorja e dytë në po kaq ndeshje e Orges Shehit në pankinën e Tiranës, që mbetet ende larg kreut, por tani është shumë pranë zonës europiane, ndërsa Skënderbeu mbetet në vendin e fundit të renditjes dhe komplikon edhe më shumë misionin mbijetesë.

Partizani bën detyrën në transfertën mallakastriote ndaj Bylisit, pasi triumfoi me rezultatin 1-2 dhe ngushtoi në 6 pikë diferencën ndaj Vllaznisë kryesuese, duke përfituar maksimalisht nga hapi fals i shkodranëve mbrëmë në “Loro Boriçi”.

Në Ballsh u luajt një sfidë mjaft e luftuar në aspektin fizik, pasi terreni i rënduar i “Adush Muçës” të jep pak mundësi për të shpalosur aftësitë teknike dhe kjo u pa qartë edhe sot. Bylis e nisi menjëherë kërcënueshëm, por nuk gjeti portën e Alban Hoxhës, ndërsa më pas ishte Partizani që fitoi një epërsi të lehtë.

Rastin më të mirë për shënim për të kuqtë e pati sulmuesi Stenio Junior, që u shërbye nga Hektor Idrizi shumë pranë vijës fatale, por topi i gjuajtur prej tij, u devijua mrekullisht nga Pano Qirko në goditje nga këndi.

Nga ana tjetër ballshiotët fituan një 11-metërsh në minutën e 43-të, pas një faulli në zonë nga ana e Rron Brojës, megjithatë sulmuesi serb Nemanja Kojiç bëri një gjuajtje të dobët dhe Alban Hoxha arriti të presë topin, duke çuar skuadrat në pushim, në barazim pa gola.

Pjesa e dytë nisi me një rast mjaft të mirë për vendasit, por sulmuesi i sapo-futur, Xhoi Carkanji gjuajti keq përballë Alban Hoxhës, ndërsa më pas në minutën e 55-të u zhbllokua edhe takimi.

Pas një goditjeje nga këndi, arbitri Jorgji akordoi një penallti në favor të Partizanit, për një faull të Ymeraliajt në dëm të Çinarit, ndonëse pamjet e përsëritura lënë shumë hije dyshimi për këtë vendim.

Nga pika e penalltisë shkoi vetë sulmuesi shkodran Erald Çinari, i cili gjuajti saktë dhe mposhti Pano Qirkon, ndonëse ky i fundit kuptoi krahun dhe i shkoi shumë pranë grushtimit. Nuk mungoi as tensioni në fushë, në minutat në vijim, teksa shpesh Enea Jorgjit iu desh të vendosë rregull me ndërhyrjet dhe kartonët e tij.

Loja u komplikua më shumë për mallakastriotët, pasi në minutën e 73-të kapiteni Ymeraliaj u ndëshkua me karton të kuq, pas një momentin tensioni me Esin Hakajn, teksa shkodrani luajti mirë rolin e u rrëzua duke tërhequr vëmendjen e arbitrave.

Me një lojtar më tepër, Partizani e pati më të lehtë të menaxhojë lojën dhe në minutën e 80’ ishte sulmuesi i hedhur rishtazi në fushë, Tedi Cara ai që shënoi edhe golin e dytë, pas një zbritjeje të shpejtë në kundërsulm të të kuqve.

Kur kishin mbetur edhe 5 minuta nga koha e rregullt, ishte sulmuesi Xhoi Carkanji që rihapi takimin, pasi shënoi me një gjuajtje të bukur në portën e Alban Hoxhës, por vetëm kaq, pasi Partizani u mbrojt mjaft mirë dhe mori një 3-pikësh me mjaft vlera, ndërsa Bylisi mbeti në vendin e parafundit me 12 pikë, aq sa edhe Skënderbeu i vendit të fundit.









Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us