Tetovë, studentët do të paguajnë më shumë se administratorët për transport publik, paralajmëruan protesta (VIDEO)

Tetovë, studentët do të paguajnë më shumë se administratorët për transport publik, paralajmëruan protesta (VIDEO)


Me reagime nga student dhe organizata studentore sot është shoqëruar miratimi i çmimores për transport publik në Tetovë. Kjo për shkak se çmimet e studentëve janë më të shtrenjta se ata të administratorëve komunal, nuk u pranuan as propozimet e këshilltarëve të Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptaret për lehtësime të studentëve. Drejtori i NP “Tetova Transport” e la të hapur mundësinë për ndryshime në të ardhmen, shkruan Portalb.mk.

Bileta mujore për shfrytëzimin e transportit publik në Tetovë për student është 600 denarë ndërsa për administratorët komunal 450 denarë. Gjithashtu, biletat vjetore për studentët janë 6,000 denarë kurse për punonjësit komunal 4,500 denarë.

Ky fakt, ka revoltuar aktivistin dhe studentin Don Murtezani, i cili për Portalb.mk tha se me vendimin e fundit të këshillit komunal është dëmtuar shtresa më vitale e shoqërisë, siç janë studentët, ai kërkon urgjentisht ndryshimin e këtij vendimi tashmë të miratuar.

Don Murtezani, aktivist.
Don Murtezani, aktivist.

“Nga vendimet e këshillit komunal ndikohen shumë shtresa, kësaj radhe është dëmtuar shtresa më vitale e shoqërisë, siç janë të rinjtë, në të gjithë botën punohet që studentët të kenë lehtësira ndërkaq ne i dëmtojmë ata. Propozimi im do të ishte që të gjithë studentët të nxjerrin një front përballë komunës dhe këtij vendimi i cili nuk është fare i arsyeshëm, mendoj se duhet të ketë lehtësira, eventualisht për studentët të jetë pa pagesë me ID apo të jetë më së paku 200 denarë në vit. Në qoftë se i krahasojmë me administratorët komunal, ata marrin paga ndërsa një numër i madh i tyre nuk shkojnë as në punë, përse duhet ti kenë këto beneficione ndërsa studentët kanë harxhime plot kurse lehtësira fare” tha Don Murtezani, aktivist dhe student.

Nga ana tjetër, Zeliha Mustafa nga Unioni Studentor Shqiptar (USSh) potencoi faktin se studentët nuk gjenerojnë të ardhura ashtu si punonjësit komunal, andaj sipas kësaj organizate, përfitimet e administratorëve janë skandaloze.

Zeliha Mustafa, Unioni Studentor Shqiptar.

“Ky është një çmim totalisht i papranueshëm për ne se USSH, kërkojmë që urgjentisht çmimi të përmirësohet dhe të jetë një çmim i kapshëm për xhepin tonë duke e ditur se ne si studentë nuk gjenerojmë të hyra dhe buxhetin mujor studentor e kemi të kufizuar dhe mos të them paraprakisht të planifikuar për harxhime të patjetërsueshme. Në këtë situatë, ne se USSH duhet të ngremë zërin dhe këtë çmimore assesi të mos e lejojmë”

Si erdhi deri te miratimi i kësaj çmimore?

Votimi i çmimores për biletat e transportit publik në Tetovë ishte pika e dytë e seancës që u mbajt sot nga Këshilli Komunal në Tetovë, këshilltari i Lëvizjes BESA, Besar Durmishi propozoi që të ketë lehtësime shtesë për studentët ndërsa të shtohet edhe një kategori për rastet sociale.

“Është një disbalancë i çmimeve sepse grupi që kanë të hyra e kanë çmimin më të lirë se sa studentët që nuk kanë aspak të hyra. Pra studentëve që duhet t`iu ndihmojmë e kanë çmimin më të lartë, dhe një grup nuk ishte vendosur, pra rastet sociale që nuk kanë aspak të hyra”, tha Besar Durmishi, nga Lëvizja BESA.

Kërkesat e njëjta i parashtroi edhe këshilltari nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASh), Arif Selami, sipas tij, nuk ka kuptim që studentët të paguajnë më shumë se administratorët komunal.

“Nuk ka kuptim që të punësuarit e Komunës së Tetovës të paguajnë më pak se studentët që nuk janë të punësuar.  Studentët patjetër të kenë çmime më të lira se sa të punësuarit e komunës së Tetovës”, tha Arif Selami, Aleanca për Shqiptarët.

Nga ana tjetër, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Fejsal Beadini e la të hapur për mundësinë që çmimet e biletave për transport publik të ndryshohen, në të ardhmen.

“Natyrisht se këtë çështje do ta hapim në mbledhjen e radhës të këshillit drejtues, ju e dini që ndërmarrja nuk e ka si organ udhëheqës vetëm drejtorin, pra drejtori ekzekuton vendimet që merren në ndërmarrje. Natyrisht se do të diskutohet edhe me udhëheqësin e Komunës së Tetovës, të cilës ndërmarrja e ka për obligim ti jap raport financiar dhe raport pune, në seancat e radhës ndoshta do të ketë edhe ndryshime” tha Fejsal Beadini.

Në pyetjen e Portalb.mk se pse ishte e nevojshme që administratorët komunal të kenë lirim në çmime, ai theksoi se pikërisht këta të fundit janë ata që duhet më shumë se të gjithë të shfrytëzojnë transportin publik dhe të mos shkojnë në punë me vetura.

“Bashkë me organet tjera të ndërmarrjes e diskutuam dhe ram dakord që kjo të merret në një far forme si diskriminim pozitiv për shkak se janë ata që duhet të shfrytëzojnë më së tepërmi transportin publik si stimulim për atë që të shkojnë në punë me shfrytëzimin e transportit publik dhe jo me vetura” shtoi Fejsal Beadini.

Këto janë çmimet përfundimtare për bileta të tranportit publik në Tetovë:

Ndërkqa, përveç vendimit për çmimet e biletave të ndërmarrjes, sot kësaj ndërmarrje iu dhanë në pronësi edhe pesë autobusët e ri, të cilët pritet të futen në funksion gjatë mesit të muajit mars.

Cilat do të jenë linjat në të cilat do të kalojnë këta autobusë?

Fillimisht, nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” është planifikuar që të funksionojnë tre linja të cilat mbulojnë pjesën më të madhe të qytetit të Tetovës, edhe atë:

  • Linja e  parë – është nga stacioni i autobusëve në rrugën Boris Kidriç për në Universitetin e Evropës Juglindore.
  • Linja e dytë – kalon përgjatë rrugëve Boris Kidriç, Ivo Lola Ribar, Strasho Pindzur, t.c. Merdzan, Ilindenska, pranë Universitetit UEJL, Ljuboten, rrugët Kiro Ristoski Drnc, Gjorce Petrov, Braka Miladinovi, Bulevardi Vidoe Smilevski Bato, 29 Nëntor, Blagoja Toska, Marshalli Tito, Bulevardi Vidoe Smilevski-Bato dhe përfundon përsëri në stacionin e autobusëve në rrugën Boris Kidriç.
  • Linja e tretë – në rrugët Boris Kidriç, Bulevar Vidoe Smilevski Bato, Marshalli Tito, Blagoja Toska, 29 nëntor, Bulevardi Vidoe Smilevski Bato, Braka Miladinovi, Gjorce Petrov, Kiro Ristoski Drnc, Ljuboten, Ilindenska, UEJL dhe kthehet përgjatë Ilindenskës në t.c. Merjan, Rruga Strasho Pindzur, Ivo Lola Ribar, Blagoja Toska dhe përfundon në stacionin e autobusëve në rrugën Boris Kidric.

Kryetarja e Komunës së Tetovës ka edhe 8 muaj mandat ndërsa autobusët do të paguhen për 13 vite.

Ndryshe, premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017.



Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us