NBA/ “Mbreti” James nuk mjafton, Lakers bien ndaj 76ers – SuperSport

NBA/ “Mbreti” James nuk mjafton, Lakers bien ndaj 76ers – SuperSport


Ekipi i Los Angeles Lakers pësoi humbjen e parë jashtë fushe, teksa u mund në Pensilvani nga skuadra e Philadelphia 76ers. Kampionët në fuqi numëronin 10 fitore radhazi larg shtëpisë së tyre “Staples Center”, një rekord në historinë e franchise-t kalifornian, megjithatë ekipi i drejtuar nga trajneri Frank Vogel këtë herë u shtrëngua për të pranuar humbjen, pas koshit të realizuar vetëm 2,4” para sirenës nga 28-vjeçari njujorkez Tobias Harris.

Herët apo vonë do të ndodhte, kështu që bëhet fjalë për dicka që pritej, për shkak të kalendarit të ngjeshur dhe tepër impenjativ. Kjo konsiderohet pikërisht si periudha më e vështirë e këtij edicioni për Lakers, përsa i përket sezonit të rregullt, duke patur parasysh që kampionët në fuqi në këtë fazë ishin ngarkuar me plot 7 ndeshje në harkun e vetëm 12 ditëve, për më tepër të gjitha këto sfida jashtë fushës së tyre. Kështu pas fitoreve rresht në Milwaukee, Chicago e Cleveland, Lakers rrëzohen në “Wells Fargo Center”, sidoqoftë në kalendar, deri më datën 2 shkurt, mbeten edhe tri ndeshje të tjera larg Kalifornisë: në Detroit, Boston dhe Atlanta.

Me këtë fitore shumë të rëndësishme Phila konsolidon pozitat në vendin e parë të Konferencës së Lindjes me 13 fitore e 6 humbje, ndërkohë në Divizionin e Atlantikut pas 76ers ndjek nga shumë pranë ekipi i Brooklyn Nets me 12 fitore në 20 ndeshjet e zhvilluara në regular season.

Franchise nga Pensilvania ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore që kur timoni iu besua një emri të madh siç është Doc Rivers, që u largua nga ekipi i Los Angeles Clippers për të marrë pikërisht drejtimin e Philadelphia-s. Për të ardhur keq që ndeshja e shumëpritur ndërmjet skuadrës që udhëheq Konferencën e Lindjes dhe ekipit që kryeson në Konferencën e Perëndimit u zhvillua në një arenë të zbrazur, ku mungonin spektatorët.

Vendasit fluturuan pothuajse në “double score” që në periodën hapëse, teksa kryesuan 34-18 në 12’ e parë të takimit. Dy skuadrat shkuan në interval me epërsinë e Philadelphia-s 55-51, ndërkohë dueli vazhdoi me avantazhin konstant të ekipit të drejtuar nga veterani Doc Rivers, që në fraksionin e fundit të ndeshjes shkoi deri në +14. Pikërisht 4’32” para fundit 76ers udhëhoqën 100-86, gjithsesi miqtë forcuan mbrojtjen dhe reaguan në mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu nga disavantazhi 105 – 93 kampionët në fuqi realizuan 13 pikë radhazi dhe koshin e epërsisë e shënoi sulmuesi Anthony Davis.

Ky ishte avantazhi i parë dhe i vetëm për Lakers që nga epërsia minimale 14-13 e periodës hapëse të takimit, sidoqoftë gëzimi i “liqenorëve” zgjati fare pak, pasi Tobias Harris shënoi koshin e fitores vetëm 2,4” para sirenës, mu përpara fytyrës së Alex Carusos. Lakers nuk kishin më asnjë pushim në dispozicion dhe 76ers regjistruan në këtë mënyrë fitoren më të rëndësishme, deri në këtë pikë të sezonit të rregullt, sa i përket edicionit të 75-të në NBA. “Mbreti” James e mbylli mbrëmjen me 34 pikë në 38,32’, ndërsa Anthony Davis realizoi 23 pikë të tjera, gjithsesi në krahun tjetër spikati sulmuesi nga Kameruni, Joel Embiid, me 28 pikë, megjithëse për një pjesë të mirë të suksesit vendasit i detyrohen pikërisht 28-vjeçarit Tobias Harris, që shënoi koshin e fitores dhe 24 pikë gjithsej.

Pas disfatës 107-106 Los Angeles Lakers i lëshuan vendin e parë në Konferencën e Perëndimit ekipit të Utah Jazz, që dominoi krejtësisht takimin me Dallas Mavericks. Duke lënë mënjanë barazimin 2-2 në startin e ndeshjes, Jazz udhëhoqën nga fillimi në fund, për të fituar krejt takimin me shifrat 116-104. Në “Vivint Smart Home Arena”, francezi Rudy Gobert e mbylli mbrëmjen me 29 pikë e 20 topa të rikuperuar, ndërsa “ylli” slloven i ekipit teksan, Luka Doncic, e përfundoi takimin me 30 pikë në 34’ lojë, sidoqoftë lojtari më i mirë i sfidës ishte pa dyshim 28-vjeçari nga Florida, Jordan Clarkson, që erdhi nga stoli për të shënuar 31 pikë në më pak se 33’, që qëndroi gjithsej në parket. Takimi i vetëm që pati nevojë për kohën shtesë ishte Atlanta Hawks – Brooklyn Nets.

Ekipi i drejtuar nga trajneri i ri Steve Nash regjistroi fitoren e tretë radhazi, duke mundur brenda në Georgia skuadrën e Hawks. Koha e rregullt në “State Farm Arena” përfundoi në barazim 116-116, ndërsa në overtime Brooklyn u shkëput që në start për të mbyllur shpejt llogaritë me skuadrën e Atlantës. Përfundimisht Nets fituan gjithë takimin me rezultatin 132-128, ndeshje ku Kevin Durant dhe James Harden realizuan respektivisht nga 32 e 31 pikë, ndërsa pjesëtari tjetër i treshes së famshme të Brooklynit, Kyrie Irving, e mbylli mbrëmjen në kuotën e 26 pikëve.

 

 









Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us