Bizneset, të pakënaqura me ndihmën e Qeverisë s Maqedonisë

Bizneset, të pakënaqura me ndihmën e Qeverisë s Maqedonisë


Qeveria e Maqedonisë së Veriut po përgatit pakon e pestë të ndihmës financiare për bizneset, por edhe kategori të ndryshme të goditura nga pandemia e koronavirusit. Nga Ministria e Ekonomisë kanë thënë se ndihmë do të përfitojnë edhe sektorët më të prekur si turizmi, gastronomia dhe shërbimet e hotelerisë, por pa saktësuar shumën që do të ndajë qeveria nga buxheti, meqë siç thonë, në rrjedhë janë konsultimet me odat ekonomike lidhur me shpërndarjen e mjeteve financiare.

Lidhja e Odave Ekonomike kërkon që mbështetja e shtetit të jetë e përhershme si dhe të përcaktohen protokollet për funksionimin e të gjitha aktiviteteve, të sigurohet ndihmë e drejtpërdrejtë, të pakthyeshme për transportin, turizmin, kontabilitetin, arsimin dhe institucionet për kujdesin ndaj fëmijëve si dhe sektorët më të rrezikuar që në të kaluarën ishin mbyllur plotësisht, “dhe tani janë në një situatë shumë kritike dhe që kanë të shënuar humbje mes 70 dhe 100 për qind”.

“Dy masat e para të propozuara nga Lidhja e Odave kanë të bëjnë me vazhdimin e mbështetjes prej 14,500 denarë (235 euro) për paga dhe kredi pa interes përmes Bankës Maqedonase për Zhvillim. Ne gjithashtu propozojmë shtyrjen e afateve për dorëzimin e llogarive vjetore dhe raporteve financiare deri më fund të prillit. Ndërsa, kërkesa kryesore është edhe përballja me ekonominë joformale nga subjekte të paregjistruara”, ka deklaruar Danela Arsovska, kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut deri tani ka miratuar katër pako të masave në vlerë prej mbi 700 milionë euro, nga të cilat kanë përfituar biznese të ndryshme, qytetarë të kategorive më të rrezikuara, por edhe nxënës, ndërsa mjete janë ndarë edhe për turizëm vendor. Megjithatë, nga Lidhja e Odave nuk janë edhe shumë të kënaqur nga efektet e këtyre masave, meqë siç thonë, shumë kompani kanë falimentuar duke lënë pa punë mijëra persona.

Pakoja e parë dhe e dytë: Përfshijnë 17 masa; 50 milionë euro kredi për mbrojtje të kompanive nga likuiditeti, tetë milionë euro kredi pa kamata, shtyrje të pagesës së qirave për rastet sociale, lehtësira dhe shtyrje për gjashtë muaj të pagesës së kësteve për kreditë, 100 euro për çdo familje që kanë të anëtarë të familjes të papunë, paga minimale për të gjithë zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar, paga prej 50 për qind të pagës mesatare për të gjithë personat që kanë humbur vendet e punës.

Pakoja e tretë: 730 mijë persona përfitues të ndihmës sociale, 100 mijë qytetarë kanë përfituar nga 9.000 denarë (150 euro) për blerje të prodhimeve vendore, 100 mijë qytetarë kanë përfitues kuponë për turizëm vendor në vlerë prej 6000 denarë (100 euro), të rinjtë kanë përfituar nga 6.000 denarë (100 euro) për arsim, ndërsa nga 3.000 denarë (50 euro) janë ndarë për financimin e trajnimeve për teknologji informative.

Pakoja e katërt: Të gjitha kompanitë e goditura nga pandemia kanë përfituar nga 14.500 denarë (235 euro)për çdo punëtorë, kanë përfituar 120 mijë punëtorë dhe rreth 20 mijë kompani. 113.000 persona shfrytëzues të ndihmës sociale kanë përfituar 16.5 milionë euro; 117.000 qytetarë kanë përfituar kuponë për pushime të verës në zonat turistike vendore, e ndihma të tjera.

Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se masat ekonomike mund të mos kenë arritur të mbulojnë në përgjithësi humbjet e bizneseve, ashtu siç ka ndodhur edhe në shumë vende të botës, por ndihma ka qenë e mirëseardhur.

Megjithatë, ai thekson se pasojat më shumë i kanë ndjerë punëtorët sesa pronarët e bizneseve, ndërsa këtë e ilustron me informacionet e qeverisë se ka shumë kompani që kanë përfituar ndihma financiare, por se ato nuk ua kanë shpërndarë punëtorëve, siç ishte parapara me planin e qeverisë.

“Kam bindjen se më tepër nga kriza ekonomike u prekën të punësuarit në kuadër të kompanive sesa kompanitë të cilat kanë vënë çelësin në derë. Gjithsesi, çdo herë mund të bëhet më mirë. Qeveria do të jetë në gjendje të plotësojë në nivelin e kënaqshëm me ato mundësi që ka nevojat dhe kërkesat e komunitetit të biznesit, vetëm kur të njëjtat kërkesa të merren parasysh nga ata të cilët drejtpërsëdrejti preken nga pasojat”, thotë Halili.

Ai vlerëson se problemet e shkaktuar nga kriza me pandeminë do të fillojnë të zbutem me përmirësimin e gjendjes epidemiologjike, por thekson nevojën e përkushtimit të qeverisë ndaj investimeve kapitale, si mundësi e vetme për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Qeveria në përgjithësi dhe ministritë përkatëse në veçanti, duhet të jenë thellësisht të përqendruara në realizimin e investimeve kapitale. Vetëm këto investime do të gjenerojnë vende të reja të punës, angazhim të fuqisë punëtore më të madhe, do të mundësojnë që edhe kompanitë vendore të përfshihen në realizimin e investimeve të ndryshme kapitale në vend, qoftë në infrastrukturë, në ndërtim të shkollave apo investime tjera kapitale”, thotë Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore./REL/



Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us