Pandemia që zbuloi rrezikun që jetojmë


Është e ditur se njeriu tek pasi që të ketë kaluar mallkimi bëhet i vetëdijshëm për atë që e ka goditur, dhe atë që e ka kthyer prapa në kohë.

Aq shumë vdekje, aq shumë vuajtje dhe dhembje, aq shumë ankth dhe përmbysje të rendeve dhe zakonshëmërive tona. Për aq kohë të gjatë. Kemi harruar si ishte në jetën që e quanim normale.

Në të vërtetë do të kujtojmë, dhe do të na kujtohet vetëm kur të kalojë kjo murtajë për tërë këtë skemë të jetës si e jetojmë.

Po të kthehemi prapa e ta mendojmë tërë këtë që na goditi këtë vit, nuk do ta besonim, nuk do të mund ta imagjinonim dhe as nuk do të mund ta pranonim. Është makth aq i tmerrshëm, me pasoja aq të mëdha e të përhapura në botë sa që ngjanë sikur film paranojash e imagjinatë e makthit total. Vdekja ka qenë aq e afërt në të sotshmen tonë sa që jemi bërë një me të pas aq shumë kohe që e kemi nënçmuar dhe bërë të pa vërejtshme.

Ç’ është duke ndodhur me botën? Ç’ është duke ndodhur në jetët tona? Në të vërtetë duhet të pyetemi çka kemi në duart tona, sot?

Kjo përhapje, deri në secilën familje në botë, përafërsisht, deri në çdo fshat e qytezë të botës, e këtij virusi, tregon për zonën e rrezikshme ku gjendemi. Zonë e cila na ka përafruar dhe me këtë na ka bërë aq të rrezikuar, sa që me gjithë tendencat dhe përpjekjet për jetë të mbrojtura dhe të sigurta, me gjithfarë alarmesh e sistemesh sigurie, nuk mund të ikim prej njëri tjetrit.

Në të vërtetë nëse e paramendojmë vendin ku u përhapë ky virus, diku zotit prapa shpine, dhe se si arriti të përfshijë tërë botën, duhet doemos të mendojmë për afërsinë e njërit ndaj tjetrit, për zvogëlimin e botës në një gjendje të paikshme, dhe në një njerëzim që është në prag të një rreziku të ri për veten.

Tërë mënyra e jetës, tërë historia dhe tërë aktualiteti, kanë ndryshuar me përhapjen e COVID 19. Në të vërtetë nëse e shikojmë më seriozisht, kjo nuk është gjendje që e ka shkaktuar virusi i përhapur, por është vetë jeta që e jetojmë, vetë ashtu si është jeta jonë dhe pragu para të cilit jemi.

Në të vërtetë tërë kjo që ndodhi me virusin COVID 19 ishte skema e mënyrës së si jetojmë: të bindur ndaj egos sonë, dhe të bindur ndaj “Pavdekshmërisë” dhe pa – cënueshmërisë sonë. Të bindur se e kemi mbizotëruar botën dhe se ajo funksionon për ne, për mirëqenien tonë dhe se kjo mënyrë e jetës sonë nuk e ka asnjë rrezik, apo efekt në vetë tokën dhe natyrën ku jetojmë.

Tërë alarmet që vijnë në këtë drejtim, në influencën e rrezikshme që jemi duke e shkaktuar në tokë dhe në natyrë; të gjitha shenjat dhe gjendjet që tregojnë – sëmurjen – e tokës dhe të njerëzimit janë prezente për disa dekada në vetëdijen tonë, por ne ende nuk jemi të bindur, ne ende mendojmë dhe gjykojmë si me përparësi të përhershme në tokë, të privilegjuar dhe të padyshueshëm në atë që bëjmë.

Pra ç’ është në duart tona? Ikja nga njëri tjetri përbrenda të gjitha shpikjeve të alarmeve dhe të sistemeve të sigurisë! Veçimit në ishuj e në pasuri të paarritshme! Mirëpo skema e jetës sonë është e njëjtë gjithkund dhe në çdo gjë që bëjmë. Është skemë e cila e merr çdo gjë, prej natyrës, tokës, doktorit, mjekësisë, dhe aq më shumë afrimit të njerëzimit si progres të mirëqenë, pa asnjë kritikë apo asnjë të reflektuar.

Në të vërtetë, atë që nuk po e marrim në duart tona, vetëdijesimin, do të na e mësoj vetë toka dhe vetë efekti i jetës që bëjmë, dhe si duket do ta paguajmë me aq shumë vuajtje dhe dhembje sikur këtë vit.


Etiketa:




Source link

Share

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Contact Us